Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar të enjten lokacionin në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku institucionet e Kosovës po zhvillojnë gërmime në kërkim të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit.
Haxhiu falënderoi Policinë e Kosovës, Prokurorinë, Komisionin për Personat e Zhdukur me Dhunë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe institucionet e tjera të përfshira në proces, duke theksuar se angazhimi i tyre është i domosdoshëm për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
Ajo u bëri thirrje institucioneve dhe mediave të tregojnë kujdes për të ruajtur integritetin e hetimeve, ndërsa bëri të ditur se deri më tani është konfirmuar se mbetjet e gjetura janë me prejardhje njerëzore, por se identifikimi do të bëhet pas ekzaminimeve të institucioneve kompetente.
Sipas Haxhiut, personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës mbeten plagë e hapur edhe më shumë se 27 vjet pas përfundimit të luftës. Ajo akuzoi Serbinë për mohimin e krimeve dhe mungesën e bashkëpunimit, duke theksuar se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë përderisa ekzistojnë varre të fshehura.
Haxhiu u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për hapjen e arkivave.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, reagoi përmes një postimi në platformën X, duke deklaruar se pengesat e vazhdueshme të Serbisë nuk do ta ndalin Kosovën në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Kurti tha se në Kalludër kanë nisur gërmimet në një varrezë masive ku dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të 23 intelektualëve nga Mitrovica – mjekë, profesorë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut – të rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill 1999.
Ai theksoi se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për të gjetur çdo person të zhdukur, për të zbuluar çdo varrezë të fshehur dhe për t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë.
Sipas Kurtit, më shumë se një çerek shekulli pas luftës së viteve 1998-1999, familjet e 1.565 personave të zhdukur me dhunë, përfshirë mbi 100 fëmijë, vazhdojnë të presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre.









