Gjatë samitit për Ballkanin Perëndimor që u mbajt online pasditen e së mërkurës, liderët e gjashtë shteteve të rajonit: Kosovës, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë, u pajtuan që të rrisin bashkëpunimin ekonomik.
Në këtë samit që u organizua nga Këshilli Atlantik, me seli në Uashington të SHBA-së, liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ranë dakord që të përshpejtojnë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve në rajon.
Ata u zotuan se do t’i eliminojnë barrierat që kanë penguar rritjen ekonomike, si dhe u pajtuan që të ndiqet një plan për të tërhequr investimet e huaja direkte në rajon, sidomos tani kur ekonomitë e këtyre vendeve janë duke u përballur me pasojat e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Udhëheqësit u zotuan për të përmirësuar bashkëpunimin politik dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si dhe për të bërë përpjekje që t’i zgjidhin çështjet dypalëshe në rajon.
Në samit morën pjesë: kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija, dhe ministrja e Ekonomisë e Malit të Zi, Dragica Sekulliq.
Në një njoftim të lëshuar nga Këshilli Atlantik, pas përfundimit të takimit, thuhet se liderët kanë rënë dakord që të punojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, të përcjellin zbatimin dhe ta bëjnë publik progresin e projekteve të përbashkëta te qytetarët.
Drejtuesit e Ballkanit Perëndimor po ashtu u zotuan se do të punojnë së bashku për të identifikuar projekte, me theks të veçantë infrastrukturore, me rëndësi rajonale.