GJEKA-POPA: TË PËRSHPEJTOHET ZBATIMI I AKTIVITETEVE PËR MBYLLJEN E STANDARDEVE PËRFUNDIMTARE

Angazhimi maksimal i të gjitha kapaciteteve të Qeverisë do të përshpejtojë agjendën evropiane të Malit të Zi, tha ministri për të drejtat e njeriut dhe pakicave, Fatmir Gjeka, në takimin me shefen e Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Mal të Zi, Oana Kristina Popa. Popa tha se Delegacioni i BE-së do të vazhdojë të mbështesë realizimin e të gjitha synimeve të përcaktuara në fushën e të drejtave të njeriut, të cilat janë në kompetencë të drejtpërdrejtë të atij departamenti. Ajo theksoi se është e kënaqur me ripërtëritjen e pavarësisë së Ministrisë dhe theksoi rëndësinë e ushtrimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Popa vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm në zbatimin e të gjitha politikave me të cilat po merret Ministria. Gjeka tha se janë të vetëdijshëm për stagnimin e mëparshëm në procesin e anëtarësimit. Ai tha se Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave e ka bërë prioritet përmbushjen e obligimeve nga programi i anëtarësimit. “Gjeka shprehu hapjen e plotë për bashkëpunim, duke theksuar mbështetjen politike dhe ekonomike të Delegacionit të BE-së në Mal të Zi si më e rëndësishmja në procesin integrues të Malit të Zi”, thuhet në deklaratë. Ai e informoi Popën për aktivitetet lidhur me organizimin e Ministrisë dhe sfidat në fushën e të drejtave të njeriut dhe të pakicave që janë në rrugë të mbylljes së standardeve përfundimtare. Gjeka përsëriti gatishmërinë e tij për kontributin e plotë të Ministrisë në përmbushjen e detyrimeve kyçe të kapitullit 23 të negociatave. Në takim u tha se do të intensifikohet puna për përmirësimin e fushës së mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave në Mal të Zi, me qëllim respektimin e plotë të tyre.

SHARE