MILLATOVIQ ME KALLAS: MALI I ZI SYNON TË BËHET ANËTARJA E 28-të E BE-së DERI NË VITIN 2028

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, zhvilloi bisedë me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, ku diskutuan integrimin evropian, respektimin e vendimeve të gjykatave penale ndërkombëtare dhe marrëdhëniet mes BE-së dhe Kinës. Millatoviq tha se qëllimi strategjik është i qartë dhe se agjenda e reformave duhet të mbetet në fokus, në mënyrë që Mali i Zi deri në vitin 2028 të bëhet anëtarja e 28-të e Bashkimit Evropian. “Diskutuam edhe për detyrimin për të respektuar vendimet e gjykatave penale ndërkombëtare. Lavdërimi i kriminelëve të luftës nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e vlerave evropiane”, tha Millatoviq. Sipas tij, gjatë takimit u shkëmbyen mendime edhe për marrëdhëniet mes BE-së dhe Kinës, veçanërisht në kuadër të vizitës së ardhshme të ministrit të Jashtëm kinez në Mal të Zi. Millatoviq theksoi se Mali i Zi do të vazhdojë të ndjekë një politikë të jashtme të përgjegjshme dhe parimore, në përputhje me orientimin e tij evropian.

SHARE