Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) ka dhënë dritën e gjelbër për nënshkrimin e një marrëveshjeje me Serbinë, e cila do të mundësojë vendosjen e patrullave nga Agjencia Evropiane e Rojave Kufitare (FRONTEX) për kontrollin e kufijve, edhe brenda territorit të Serbisë në veprime të përbashkëta për kontrollimin e migrimit ilegal.
Serbia ndodhet në të ashtuquajturën “Rrugë Ballkanike”, e cila, pavarësisht rrethojave, kamerave të vëzhgimit dhe patrullave të përbashkëta kufitare, është rruga e dytë më aktive e migrantëve, sipas raporteve të FRONTEX-it.
BE-ja ka njoftuar se Këshilli e ka miratuar këtë vendim të enjten në Bruksel.
“Marrëveshja do t’u mundësoj BE-së dhe Serbisë që të organizojnë operacione të përbashkëta që do të përfshinin FRONTEX-in dhe gardën kufitare të Serbisë. Kjo, po ashtu, do të thotë se ekipet menaxhuese kufitare të FRONTEX-it mund të dislokohen në Serbi. Ato do t’i ndihmojnë Serbisë për të menaxhuar valët e migrimit, të veprojë kundër imigrimit të paligjshëm dhe të luftojë kundër krimeve tejkufitare”, thuhet në njoftimin e Këshillit të BE-së.
BE-ja edhe deri më tash ka pasur një marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë për këtë çështje, por ajo mundësonte veprimet e FRONTEX-it vetëm në kufijtë e vendeve të BE-së me Serbinë. Marrëveshja e re do të mundësojë vendosjen e FRONTEX-it brenda territorit të Serbisë.
FRONTEX është agjencia e BE-së përgjegjëse për zbatimin e menaxhimit të integruar evropian të kufijve, funksionimin efektiv të kontrollit kufitar në kufijtë e jashtëm të BE-së në koordinim me autoritetet kombëtare të shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Shengenit (Islanda, Zvicra, Lihtenshtajni dhe Norvegjia).
Agjencia është përgjegjëse për menaxhimin e kufijve, sigurinë e brendshme brenda BE-së dhe menaxhimin e migracionit, duke përfshirë një politikë efektive të kthimit, duke ruajtur lëvizjen e lirë të personave brenda unionit dhe respektimin e plotë të të drejtave themelore.
Bashkimi Evropian tashmë ka marrëveshje të tilla me disa vende fqinje, si me Moldavinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë.