PROTESTAT NË DITËN E DYTË, SERBËT SULMOJNË GAZETARËT

Pas trazirave dhe përplasjeve të forta të së hënës mes serbëve dhe trupave të KFOR-it në Zveçan, e marta ka nisur më e qetë në veri të Kosovës.

Para përfaqësuesve të mediave ka folur ish-kryetari i Këshillit të Komunës së Zveçanit, Srgjan Milosavleviq, i cili tha se qytetarët po protestojnë në mënyrë paqësore dhe se kërkesat janë të njëjta, që forcat speciale të Policisë së Kosovës të largohen nga objektet e komunave në veri të Kosovës dhe kryetarët e rinj, siç tha ai, “të rremë” të mos vijnë në objektet komunale.

Ai po ashtu tha se kërkojnë lirimin e dy bashkë-qytetarëve të tyre të cilët u arrestuan dje, si dhe u bëri thirrje qytetarëve në komunat në veri të Kosovës, me shumicë serbe, të mblidhen në numër edhe më të madh për të shprehur pakënaqësinë e tyre për situatën e krijuar.

Në përleshjet e djeshme mes demonstruesve dhe trupave të KFOR-it janë lënduar 30 ushtarë ndërkombëtar, si dhe dhjetëra demonstrues.

Sot, protesta paqësore u mbajtën edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok.

Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës njoftoi se dje “demonstruesit, individët dhe grupet kriminale me dhunën e tyre ekstreme” kanë shkaktuar përshkallëzim dhe degradim të situatës së sigurisë në veri të vendit, duke rrezikuar jetën e njerëzve, përfshirë edhe jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë.

SHARE