BORRELL: KOSOVA DUHET TË PEZULLOJË OPERACIONET POLICORE NË VERI

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova duhet të pezullojë operacionet e policisë rreth ndërtesave komunale në veri të shtetit, si “hap i parë për uljen e tensioneve, ndërsa protestuesit e dhunshëm të ndalen”.

“Dua të them se BE-ja e dënon fuqishëm dhunën në veri të Kosovës që kemi parë ditëve të fundit. Aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme. Ne si BE qëndrojmë prapa NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”, tha Borrell më 30 maj.

Ai tha se mëngjesin e sotëm ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, teksa mbrëmjen e së hënës ka zhvilluar një bisedë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksadar Vuçiq, dhe i ka ftuar që të “qetësojnë menjëherë situatën dhe pa kushte”.

“Çdo hap tjetër i njëanshëm duhet të shmanget. Si hap i parë, pres nga Kosova të pezullojë operacionet policore të lidhura me ndërtesat e komunave në veri të Kosovës, dhe protestuesit e dhunshëm të ndalen. Ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar me dy liderët” që të ndalen protestat, tha Borrell.

Borrell po ashtu tha se blloku evropian pret që Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog dhe të hapin rrugën për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. “Po punoj që të organizoj një takim urgjent të nivelit të lartë”, tha Borrell.

SHARE