GJELOSHAJ: PROCEDURAT RRETH KONCESIONIT TË MUNDSHËM TË AEROPORTEVE NË MAL TË TI JANË SEKRETE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj tha në konferencën e sotme për shtyp se kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e koncesionarëve për aeroportet malazeze nuk mund të thotë shumë sepse të gjitha procedurat e komisionit të tenderit janë sekrete, por se të gjitha opsionet do të shqyrtohen dhe se gjithçka varet nga cilësia e ofertave.

Ai tha se procedura është duke vazhduar, dhe se deri më 4 prill tre kompani do të dorëzojnë oferta me tarifa investimesh dhe koncesionare.

“Në bazë të kësaj do të marrim një vendim. Nuk do të thotë që aeroportet do t’i japim me koncesion, ky është qëndrimi i Qeverisë. Nëse ofertat janë të mira për shtetin dhe zhvillimin e vendit tonë, turizmin dhe gjithçka, ne do t’i shqyrtojmë. Nëse ato oferta nuk janë të mira, ne do të shkojmë në opsionin e dytë, që është investimi shtetëror, sepse duhet të përmirësojmë gjendjen e aeroporteve tona dhe ekonominë në përgjithësi”, tha Gjeloshaj.

Ai po ashtu bëri të ditur se mos miratimi i buxhetit ka krijuar një problem të madh për ekonominë e shtetit dhe se ai duhet të miratohet sa më shpejt. Gjeloshaj është kryetar i komisionit të tenderit për këtë detyrë.

SHARE