SHQIPËRI, SHËNOHET DITA E ÇLIRIMIT

Foto: Presidenca e Shqipërisë

Shqipëria sot shënon 80-vjetorin e çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, ndërkohë janë organizuar ceremoni dhe aktivitete nga institucionet qendrore dhe lokale.

Ceremonia qendrore për Ditën e Çlirimit të Shqipërisë është organizuar në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Tiranë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të organizatave të veteranëve.

Presidentit i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përfaqësues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe zyrtarë të tjerë bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë Monumentit “Nëna Shqipëri”.

Me rastin e Ditës së Çlirimit, zyrtarë dhe politikanë kanë përcjellë mesazhet e tyre.

Në rrjetet sociale, presidenti Begaj ka shkruar se sot i përkujtojnë me mirënjohjen më të thellë dhe u përulen me respektin më të madh dëshmorëve.

“80 vite më parë vendi ynë doli trimfues në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, i rreshtuar në anën e duhur të historisë. Mijëra shqiptarë, djem e vajza të vendit tonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë, jetën, për diçka që ata e kishin edhe më të shtrenjtë, lirinë”, shkroi Begaj.

Një mesazh urimi në rrjetet sociale ka publikuar edhe kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë, 29 Nëntori në Shqipëri shënohet si festë zyrtare dhe me rastin e përvjetorit të çlirimit të vendit, disa aktivitete dhe ceremoni përkujtimore në nderim të dëshmorëve janë organizuar në Tiranë edhe në qytete të tjera të vendit

Kujtojmë se 80 vite më parë, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashistë pas një lufte pesëvjeçare.

SHARE