KURTI: NË DHJETOR DORËZOHET APLIKIMI NË BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një intervistë për të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, se Kosova do të dorëzojë në dhjetor aplikimin për anëtarësimin në bashkimin evropian, përkrah vendeve si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Shefi i qeverisë së Kosovës pranoi se është i ndërgjegjshëm që anëtarësimi nuk do të jetë i shpejtë sidoqoftë. “Sigurisht, ne e dimë se anëtarësimi nuk do të ndodh së shpejti. Por, është e rëndësishme që ne zyrtarisht dhe publikisht të shprehim dëshirën tonë për t’u anëtarësuar në BE” – thotë Kurti. Gjithashtu, gjatë intervistës së realizuar nga gazetari Michael Martens, kurti ka folur edhe për tema të tjera me rëndësi të veçantë, ndër të cilat edhe marrëveshja më e fundit me serbinë për targat. “Ne kemi rënë dakord që të mos zbatojmë vendimin tonë për penalizimin e drejtuesve të automjeteve me targa të paligjshme serbe. Serbia ka rënë dakord të ndalojë lëshimin e targave të trashëguara nga regjimi i Slobodan Millosheviqit. Këtë e bëmë jo vetëm për të de-përshkallëzuar, por edhe për të krijuar një mundësi për fillimin e shpejtë të negociatave për një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti. E duke iu përgjigjur deklaratave të shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, se ai u tregua jokonstruktiv në përpjekjet e mëhershme për gjetjen e një zgjidhjeje, kurti thotë se ai nuk është kokfortë por parimor. Gjatë intervistës gjithashtu, kryeministri Kurti foli edhe për propozimin franko-gjerman, zgjidhjen e konfliktit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe rolin e Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarë për politikën e jashtme të Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron, në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

SHARE