ABAZOVIQ: MALI I ZI SOLIDARIZOHET ME ANËTARËT E ALEANCËS SË ATLANTIKUT TË VERIUT

Mali i Zi pa mëdyshje qëndron në solidaritet me partnerët e tij në lidhje me ndihmën për Ukrainën, dhe për sa i përket Ballkanit Perëndimor, ai ofron mbështetje për paqen dhe bashkëpunimin në rajon, tha sot në Bukuresht kryeministri në mandatin teknik Dritan Abazoviq. Abazoviq, pas mbërritjes në konferencën e ministrave të punëve të jashtme të NATO-s, në një deklaratë për gazetarët tha se Mali i Zi tregon solidaritet të madh me anëtarët e Aleancës së Atlantikut të Veriut. “Ne mbështesim paqen, por mbështesim plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës”, theksoi ai. Abazoviq tha se lufta në Ukrainë shkaktoi trazira të mëdha jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë kontinentin dhe në mbarë botën. “Me një dozë solidariteti dhe bashkëpunimi mund të bëjmë më shumë, të kontribuojmë në normalizimin sa më të shpejtë të gjërave. Nuk mund të marrim pjesë drejtpërdrejt në atë që do të donim, që është arritja e paqes”, shtoi ai. Ai tha se Mali i Zi pa mëdyshje solidarizohet me partnerët e tij. Duke folur për Ballkanin Perëndimor, Abazoviq theksoi se Mali i Zi ofron mbështetje për paqen dhe bashkëpunimin në rajon dhe shprehu kënaqësinë e tij që në takimin në Bukuresht po marrin pjesë edhe disa vende fqinje.

SHARE