RADOIÇIQ MERR PËRGJEGJËSINË PËR NGJARJET NË VERI TË KOSOVËS

Milan Radoiçiq sot ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë të Kosovës më 24 shtator duke shprehur gatishmërinë që t’u përgjigjet autoriteteve kompetente të Serbisë dhe ka dhënë dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe.

Avokati i tij Goran Petronijeviq ka lexuar mesazhin e tij në të cilin ka thënë se ka ardhur në veri të Kosovës më 24 shtator me bashkatdhetarët e tij dhe se personalisht i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike, pa informuar askënd nga autoritetet në Serbi apo autoritetet në veri të Kosovës.

Siç tha ai, nuk ka marrë asnjë ndihmë nga autoritetet në Serbi, sepse “ata tashmë kishin qëndrime të ndryshme në lidhje me metodat e mëparshme të rezistencës”.

Ai shtoi se aksioni i asaj dite nuk kishte të bënte me përfshirjen e tij politike në Listën Serbe. Radoiçiq po ashtu ka deklaruar se arsyeja e kthimit në veri të Kosovës ishte siç pretendon ai “inkurajimi i popullit serb që t’i rezistojë regjimit të kryeministrit të Kosovës”.

Siç ka deklaruar ai, vrasja e policit kosovar ka qenë aksidentale, pas së cilës ka ndodhur një konflikt i ashpër.

Kujtojmë se mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës ka zhvilluar operacion në veri të vendit, në 5 lokacione të tri komunave, ku sipas Policisë, këto operacione kanë të bëjnë me ngjarjet e fundit në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku.

SHARE