Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar në një intervistë për median britanike “Channel 4” se aktualisht nuk ekziston asnjë projekt konkret për ishullin e Sazanit, ndërsa për Zvërnecin theksoi se çdo zhvillim do të jetë në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.
Rama sqaroi se pamjet dhe informacionet e publikuara më herët kanë qenë vetëm paralajmërime fillestare dhe jo projekte të miratuara. Sipas tij, procesi ka evoluar dhe tashmë janë përfshirë arkitektë dhe ekspertë ndërkombëtarë të njohur, ndërkohë që po realizohet edhe vlerësimi i pavarur i ndikimit në mjedis.
Ai hodhi poshtë pretendimet se ka nisur një projekt në Sazan, duke theksuar se nuk ka as marrëveshje dhe as zhvillim konkret në atë zonë.
Sa i përket punimeve në Zvërnec, Rama i cilësoi ato si ndërhyrje përgatitore dhe jo fillim të projektit, duke shtuar se çdo hap do të varet nga vlerësimet mjedisore, gjeologjike dhe hidrologjike.
Kryeministri theksoi se projekti nuk synon të dëmtojë zonën, por ta rigjenerojë atë, ndërsa siguroi se asnjë zhvillim nuk do të realizohet në kundërshtim me direktivat e BE-së.
Duke komentuar edhe reagimet dhe protestat, Rama u shpreh se ato reflektojnë pritshmëri më të larta të qytetarëve dhe janë pjesë e një shoqërie demokratike, duke theksuar se vendi nuk mund të ecë përpara me projekte që nuk përmbushin standardet evropiane.









