INFLACIONI VENDOS REKORD TË RI NË EUROZONË

Shkalla e inflacionit në Eurozonë ka arritur në 8.9 për qind në muajin korrik. Kjo shifër përbën rekord të ri, teksa lufta e paprovokuar e Rusisë në Ukrainë vazhdon të ndikojë në rritje të çmimeve të ushqimit dhe energjisë. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Agjencia e Bashkimit Evropian për Statistika – Eurostat – ka thënë më 29 korrik se shkalla vjetore e inflacionit në 19 shtetet anëtare që përdorin euron, është rritur në 8.9 për qind për dallim nga 8.6 për qind sa ka qenë në muajin e kaluar.  Në zemër të rritjes së çmimeve kanë qenë ato të energjisë, të cilat janë rritur për 39.7 për qind këtë vit. Çmimet e ushqimit, ndërkaq, janë rritur për 9.8 për qind në bazë vjetore. Presioni për inflacion global veçse ka qenë i lartë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Mirëpo pas shpërthimit të luftës në Ukrainë – që tani është në muajin e gjashtë – rritje ekonomike globale është vënë në rrezik, pa harruar edhe krizën për furnizime. Të dyja këto zhvillime kanë ndikuar në rritje të inflacionit në gjithë botën. 

SHARE