‘MINI-SHENGENI’ PAGËZOHET “OPEN BALKAN”, LIDERËT KËRKOJNË ZGJERIMIN ME SHTETE TJERA

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës së “mini-Shengenit”, e cila në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që u mbajt në Shkup ka marr emrin e ri “Open Balkan” (Ballkani i hapur). Në takimin e tre liderëve të rajonit nuk po merr pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “mini-Shengenit”, pasi sipas tij rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian dhe jo nismave që, sipas kryeministrit të Kosovës, janë të dëmshme për shqiptarët. “Ne jemi këtu për të ardhmen. Çështjet e të shkuarës zgjidhen shumë më lehtë nëse sytë janë nga e ardhmja. Me sytë nga e shkuara nuk ka çështje të së shkuarës si zgjidhje drejt të së ardhmes. Të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar kryeministri shqiptar, Edi Rama. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha në fjalimin e tij se bashkëpunimi është mundësia e vetme për zhvillimin e rajonit dhe se nuk mbajnë pretendimet se njëri shtet apo shteti tjetër, do të fitojnë më shumë, apo se Serbia do të fitojë më shumë se vendet tjera për shkak të madhësisë si shtet. Apel për t’iu bashkuar nismës ka bërë edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev. Ai ka theksuar se e gjithë kjo do të çojë në relaksimin e raporteve mes shteteve në rajon. Tre liderët Zaev, Rama dhe Vuçiq, në kuadër të forumit nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.

SHARE