ITALIA, MBËSHTETËSE E SHQIPËRISË NË BE / MINISTRI I JASHTËM, HOXHA VIZITË ZYRTARE NË ROMË

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi një vizitë zyrtare në Romë, ku u prit nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani.

Në një postim në platformën X, kryediplomati Hoxha theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, të ndërtuara mbi lidhje historike, miqësi të ngushtë mes dy popujve dhe një vizion strategjik të përbashkët për të ardhmen.

‘Bisedimet tona konfirmuan nivelin e lartë të bashkëpunimit në një sërë fushash, përfshirë dialogun politik, integrimin evropian, sigurinë, mbrojtjen, migracionin, lidhshmërinë, energjinë, ekonominë, turizmin, kulturën dhe lidhjet mes njerëzve. Italia mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe një investitor strategjik në sektorët prioritarë,’ u shpreh ndër të tjera ministri Hoxha.

Hoxha shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se Roma mbetet një nga mbështetëset më të forta të së ardhmes evropiane të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.

SHARE