Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë Presidentin e ri të vendit, megjithëse Gjykata Kushtetuese i dha 34 ditë kohë, duke çuar vendin sërish në zgjedhje të parakohshme.
Partitë politike opozitare bojkotuan seancën e stërzgjatur, duke pamundësuar kështu kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh për ta zgjedhur presidenten e re të Kosovës.
Në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese thuhet qartë se Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave dhe kuorumin prej dy të tretave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë.
Afati prej më shumë se një muaj i dhënë nga Gjykata Kushtetuese skadoi në mesnatën e 28 prillit, dhe në këtë mënyrë, automatikisht sipas atij vendimi, shpërbëhet Kuvendi, pa nevojën e një dekreti presidencial.
Sërish duhet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më së largu brenda 45 ditësh, që i bie në fillim të qershorit.
Në minutat e fundit të këtij afati, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka hedhur akuza të rënda ndaj opozitës.
“Kosova mund të ketë presidente të re, por për të pasur presidente të re duhet të ketë opozitë të re. Opozita është e vjetër, kjo opozitë mundet me sjellë ndonjë fytyrë të re por zanatin e karakterin e ka të vjetër. Prandaj janë edhe në rënie të lirë”, tha Kurti në Kuvend.
“Janë duke rënë vazhdimisht, sa më shumë që bëhen zgjedhje aq më poshtë po shkojnë dhe asnjë mësim nuk po e nxjerrin..”, tha ai.









