NËNSHKRUHET MARRËVESHJA PËR NDËRTIMIN E ANIJEVE LUFTARAKE NË SHQIPËRI

Shqipëria dhe Italia kanë nënshkruar një marrëveshje për prodhimin e anijeve luftarake në kantierin e Pashalimanit në Vlorë, duke krijuar një kompani të përbashkët mes shoqërisë shqiptare Kayo dhe gjigantit italian Fincantieri.

Sipas marrëveshjes, kantieri do të modernizohet dhe do të punësojë rreth 400 persona, duke u shndërruar në një qendër të rëndësishme për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve ushtarake deri në 80 metra gjatësi.

Fincantieri do të sjellë teknologji dhe ekspertizë, ndërsa pala shqiptare do të investojë në infrastrukturë.

Projekti vlerësohet rreth 1.2 miliard euro dhe synon jo vetëm furnizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, por edhe eksportimin e anijeve për shtete aleate.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi marrëveshjen si hap të rëndësishëm për sigurinë dhe ekonominë e vendit, duke theksuar se Shqipëria duhet të forcojë industrinë e mbrojtjes në kushtet e sfidave globale të sigurisë.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tha se ky bashkëpunim e pozicionon Shqipërinë si një bazë të re evropiane për prodhimin e anijeve të vogla dhe të mesme.

Në kuadër të këtij zhvillimi, Shqipëria po zgjeron edhe industrinë e saj të mbrojtjes, përfshirë prodhimin e dronëve luftarakë dhe zhvillimin e kapaciteteve logjistike në bashkëpunim me NATO-n.

SHARE