GJYKATA E LARTË E KOMBEVE TË BASHKUARA, URDHËR IZRAELIT: HAPNI VENDKALIME TOKËSORE PËR NDIHMAT

Gjykata e lartë e Kombeve të Bashkuara urdhëroi të enjten Izraelin të marrë masa për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza, duke përfshirë hapjen e më shumë vendkalimeve tokësore për të lejuar furnizimet me ushqim, ujë, karburante dhe pajisje mjekësore të hyjnë në enklavën e shkatërruar nga lufta.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lëshoi dy të ashtuquajtura masa të reja të përkohshme, në një çështje të ngritur nga Afrika e Jugut, e cila e akuzon Izraelin për akte gjenocidi në fushatën e tij ushtarake të nisur pas sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi.

Izraeli mohon se po kryen gjenocid dhe akuzon Afrikën e Jugut se po përpiqet të “dëmtojë të drejtën dhe detyrimin e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e tij”.

Urdhri i së enjtes pasoi kërkesat e Afrikës së Jugut për më shumë masa të përkohshme, përfshirë një armëpushim, për shkak të urisë në Gaza.

Izraeli, i cili i kishte kërkuar gjykatës të mos lëshonte urdhra të rinj, tha se nuk vendos kufizime për ndihmën që hyn në Gaza dhe u zotua për “nisma të reja” për të lejuar më shumë ndihma në territor.

Në urdhrin e saj ligjërisht të detyrueshëm, gjykata i tha Izraelit të marrë masa “pa vonesë” për të siguruar “ofrimin e papenguar” të shërbimeve themelore dhe ndihmës humanitare, duke përfshirë ushqimin, ujin, karburantin dhe furnizimet mjekësore.

Gjykata urdhëroi gjithashtu Izraelin që menjëherë të sigurohet që ushtria e tij të mos ndërmarrë veprime që mund të dëmtojnë të drejtat e palestinezëve, duke përfshirë parandalimin e dhënies së ndihmës humanitare.

SHARE