HOVENIER KËSHILLON KOSOVËN TA ÇOJË DRAFTIN PËR ASOCIACIONIN SA MË SHPEJT NË KUSHTETUESE

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka këshilluar Qeverinë e Kosovës që të kërkojë sa më shpejt mendimin e Gjykatës Kushtetuese për një draft-statut të hartuar prej Perëndimit për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në këtë mënyrë, Kosova do të përfitonte në mënyrë substanciale. Do të ekzistojë një përgjigje nëse [dokumenti] është kushtetues apo jo, do të dihet a ka kompetenca ekzekutive apo jo, dhe mendojmë se vetëm Gjykata mund ta japë atë vlerësim. Diçka e tillë do të krijojë një dinamikë ndryshe dhe do të reflektojë përkushtimin e Kosovës për t’i përmbushur obligimet që ka”.

Hovenier i ka bërë këto deklarata gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në ndërtesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Hovenier, ka thënë të enjten se duhet të dialogohet mënyra e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

Ai ka thënë se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, mund të mos jetë vendi më i përshtatshëm për të diskutuar çështjet e brendshme të Kosovës, por që tema e dinarit duhet të negociohet, pasi Kosova ka dhënë zotim për t’i mbrojtur komunitetet pakicë.

Hovenier ka insistuar që Shtetet e Bashkuara nuk janë duke e sfiduar përgjegjësinë dhe autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe as nuk po e mbrojnë dinarin, por janë të shqetësuara për mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së, dhe këtu e ka shprehur pakënaqësinë e SHBA-së për nivelin e partneritetit që ka me Qeverinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Ka ndikim të drejtpërdrejtë te individët që janë më të cenueshëm”, ka thënë Hovenier për vendimin, duke e marrë shembullin e ndonjë të moshuari 70-vjeçar që është mësuar që të shkojë në një zyrë për të marrë pensionin.

Mes tjerash, Hovenier ka thënë se Serbia nuk duhet të ketë veto për mënyrën e ofrimit të ndihmës në Kosovë, prandaj duhet të diskutohet kjo çështje.

I pyetur se çfarë mund të rrezikohet nga dëmtimi i partneritetit mes SHBA-së dhe Kosovës, ai ka thënë se SHBA-ja është më e përkushtuar se kurrë ndaj popullit të Kosovës, por jo nuk nënkupton që secila qeveri e Kosovës do të fitojë përkrahje për zgjedhjet që bën.

“Nëse ato zgjidhje janë në përputhje me vizionin tonë, do t’i përkrahim, nëse e vërejmë që ato pengojnë objektivat tona, do të jemi kritikë”, ka thënë Hovenier, duke paralajmëruar se një partneritet i degraduar ka për rezultat pasoja.

SHARE