BE-ja E GATSHME PËR BASHKËPUNIM ME QEVERINË E ARDHSHME TË SERBISË

Bashkimi Evropian (BE) vazhdon të jetë i gatshëm për bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e ardhshme të Serbisë, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, thanë në një deklaratë të përbashkët shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionarja për Zgjerim, Marta Kos. Ato theksuan se janë “veçanërisht të gatshme për bashkëpunim në lidhje me kriteret demokratike, një gjyqësor të pavarur dhe të drejtat themelore, përfshirë lirinë e medias”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS). Kallas dhe Kos shtuan se “njohja e shpejtë e rezultateve zgjedhore nga pjesëmarrësit kryesorë në zgjedhje tregon përkushtim ndaj një procesi të qetë demokratik”. “Konfirmimi zyrtar i rezultateve zgjedhore duhet të mundësojë një tranzicion të rregullt, si dhe konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë pa vonesa, në mënyrë që të mund të fillojë trajtimi i sfidave kryesore me të cilat përballet Serbia”, thuhet në njoftim. Ato nënvizuan se zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të drejta, në përputhje me standardet ndërkombëtare, “janë parakusht për funksionimin e institucioneve demokratike dhe të domosdoshme që Serbia t’i përmbushë kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian”. “Në gjetjet e tij paraprake, IEOM-i vuri në dukje se përgatitjet për zgjedhjet u menaxhuan përgjithësisht në mënyrë efikase, si dhe vlerësoi pozitivisht të gjitha fazat e ditës së zgjedhjeve në shumicën dërrmuese të vendvotimeve”, thanë ato. IEOM-i theksoi se “mjedisi zgjedhor u cenua nga përparësitë e konsoliduara që gëzon partia në pushtet, përfshirë keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe anshmërinë e theksuar të raportimit mediatik në favor të partisë në pushtet, si dhe frikësimin dhe presionin ndaj votuesve, kandidatëve dhe shoqërisë civile, krahas pengimit të aktiviteteve të fushatës. Incidentet e raportuara të dhunës fizike shkaktuan shqetësim serioz”.

SHARE