KRIZA POLITIKE NË SERBI / KUVENDI SHQYRTON MOCIONIN E MOSBESIMIT NDAJ QEVERISË

Deputetët e Kuvendit të Serbisë debatua për orë të tëra të hënën mbi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Serbisë.

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Popullore të Serbisë (NPS), Mirosllav Aleksiq, deklaroi se mocioni është nxitur kryesisht nga çështja e njohur si “Shtabi i Përgjithshëm” dhe roli i ministrit serb të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, në këtë rast.

Mocioni u dorëzua nga 62 deputetë të opozitës në muajin shkurt, pasi Prokuroria për Krimin e Organizuar nisi hetime ndaj Sellakoviqit dhe tre zyrtarëve të tjerë.

Sipas Prokurorisë, ata dyshohen se kanë falsifikuar dokumente për t’ia hequr statusin e monumentit të mbrojtur kompleksit të ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, i cili u dëmtua gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Heqja e këtij statusi hapi rrugën për ndërtimin e një kompleksi, ku ishte planifikuar të investonte Jared Kushner, por ai më vonë hoqi dorë nga investimi.

Nëse Kuvendi miraton mocionin e mosbesimit, do të nisë afati 30-ditor për formimin e një qeverie të re.

Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi do të shpërndahet dhe do të shpallen zgjedhje të reja parlamentare.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar më herët se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në tetor ose nëntor, ndërsa ato presidenciale disa muaj më vonë.

SHARE