Foto: Ilustrim
Bashkimi Evropian shprehu shqetësim për ndalimet reciproke të hyrjes së gazetarëve mes Serbisë dhe Malit të Zi, duke theksuar se masat që kufizojnë punën e mediave, nuk janë në përputhje me vlerat që priten nga vendet kandidate për anëtarësim në BE.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Komisioni Evropian tha se vendet në procesin e zgjerimit duhet të veprojnë në përputhje me vlerat themelore evropiane, përfshirë respektimin e parimeve demokratike, të drejtave themelore, lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias.
“Përparimi në rrugën drejt BE-së kërkon një përkushtim të qartë ndaj këtyre vlerave. Prandaj, masat që mund të kufizojnë punën e gazetarëve, shkaktojnë shqetësim. Nga partnerët në procesin e zgjerimit pritet të sigurojnë që gazetarët të mund ta ushtrojnë profesionin e tyre lirisht, pa kufizime të pajustifikuara dhe të pabazuara”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se institucionet evropiane janë në dijeni të raportimeve për ndalimet reciproke të hyrjes së gazetarëve mes Serbisë dhe Malit të Zi dhe se do të vazhdojnë ta ndjekin nga afër zhvillimin e situatës.










