Të paktën 50 persona, të cilët besohet se kanë qenë migrantë, janë gjetur të vdekur në një kamion të braktisur në një paralagje të San Antonios në Teksas. Ministria e Jashtme e Meksikës ka konfirmuar se 22 meksikanë, shtatë shtetas të Guatemalas dhe dy nga Hondurasi, janë në mesin e të vdekurve. Një zjarrfikës ka thënë se 16 persona, përfshirë katër fëmijë, janë dërguar në spital. Të mbijetuarit kanë qenë “të nxehtë në prekje” dhe kanë vuajtur nga nxehtësia e madhe. San Antonio, qytet rreth 250 kilometra nga kufiri mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, është rrugë kryesore transiti për kontrabanduesit e njerëzve. Sekretari amerikan për Siguri Kombëtare, Alejandro Mayorkas, departamenti i të cilit ka nisur hetimet, ka thënë se “trafikuesit e njerëzve janë individë pa shpirt, që nuk kanë parasysh njerëzit e cenueshëm, të cilët i shfrytëzojnë për të rrezikuar rendin dhe për të përfituar”. Guvernatori i Teksasit, Greg Abbot, ka fajësuar presidentin amerikan Joe Biden për vdekjet, duke e përshkruar situatën si “rezultat të politikave të tij vdekjeprurëse për kufij të hapur”.