KURTI PËR OPOZITËN: TË INTERESUAR PËR BLLOKIMIN E QEVERISJES SONË

Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kritikuar partitë opozitare duke thënë se janë të interesuar për bllokadë politike dhe jo për gjetjen e një zgjidhje konkrete për emrin e presidentit të ri.

Ai këtë e tha në konferencë për media pas mos pjesëmarrjes për tri herë radhazi të partive opozitare në seancat e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit.

“Është bërë e qartë se opozita nuk ka qëllim tjetër përveçse bllokimit. Është e interesuar për bllokimin e qeverisjes sonë. Në këto rrethana, e gjithë kjo bllokadë, nuk mund të quhet ndryshe, pos mosnjohje e rezultatit zgjedhor, të shprehur qartë më 28 dhjetor, si asnjëherë më parë. Dëshmi për bllokadën është edhe një fakt tjetër, për ta kundërshtuar pakon ekonomike për qytetarët, pra rishikimin e buxhetit, u mobilizuan të gjithë, përfshirë Listën Serbe, kurse për president as nuk po vijnë në sallë”, deklaroi ai.

Ai tha se vendit nuk i duhen bllokada politike, sikurse ndodhi në 10 muajt e fundit. Kurti potencoi se zgjedhjet e reja do të kenë kosto në shumë aspekte.

“Me besim të plotë se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, vendit do t’ia humbnim edhe 10 milionë vetëm për organizimin e zgjedhjeve, pa i përmendur dhjetëra miliona euro nga marrëveshjet e tjera. Ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet që të mos shkojmë në zgjedhje të përsëritura e të panevojshme”, ka thënë ai.

Kurti tha se ka qenë ai që vazhdimisht ka dhënë zgjidhje, e sipas tij, edhe propozime konkrete për president por që është refuzuar nga partitë e tjerë.

“As PDK e as LDK nuk kanë deputetë për të propozuar kandidat të tyre. LDK mund të propozoj një gjysmë kandidati sepse ka 15 deputetë e nevojiten 30. Ndërkaq PDK mund t’i propozojë 2/3 e një kandidati meqenëse i ka 22 deputetë e nevojiten 30. Të dyja bashkë mund ta propozojnë një kandidat. Ne u thamë po bëhemi bashkë me juve, të propozojmë tre kandidatë,  që të gjitha propozime tuaja, ju propozoni emra e ne u japim mbështetjen në seancë plenare. Asnjë propozim, e shtymë afatin për t’u dhënë kohë shtesë, kot sepse refuzim sërish”, tha ai.

Ai foli edhe për propozimin e Feride Rushitit si presidente nga ana e LVV-së, duke thënë se ajo është figurë që është vlerësuar publikisht nga përfaqësues të opozitës, ndërsa tani, sipas tij, mungon gatishmëria për ta mbështetur në Kuvend.

SHARE