STOLTENBERG E FTOI SPAJIQIN NË SAMITIN E NATO-s NË UASHINGTON: MEZI PRES TAKIMIN TONË NË KORRIK

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ka biseduar sot me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në lidhje me përgatitjen e Samitit të ardhshëm të NATO-s që do të mbahet në korrik të këtij viti në Uashington.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen informacione për aktivitetet e Aleancës dhe ranë dakord që anëtarësimi i Suedisë, për të cilin u arrit marrëveshja e të gjitha shteteve anëtare, do të forcojë në mënyrë unike Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Në kuadër të ndarjeve për mbrojtjen, kryeministri Spajiq theksoi se Mali i Zi është në rreth 2% të PBB-së dhe shprehu besimin se edhe ndarjet shtesë për blerjen e anijeve patrulluese nga Franca do ta rrisin këtë përqindje.

“Në varësi të dinamikës së prokurimit të dy anijeve patrulluese, ne presim që deri në Samitin në korrik, ndarja e Malit të Zi për mbrojtjen të jetë mbi 2% e PBB-së”, tha Spajiq.

Sekretari i Përgjithshëm Stolternberg theksoi se Mali i Zi tregon përkushtim ndaj synimeve të Aleancës në çdo nivel dhe konfirmon veten si një anëtar i besueshëm.

Stoltenberg theksoi se Mali i Zi luan një rol kyç në Ballkanin Perëndimor dhe tha se vlerëson veçanërisht mbështetjen e Malit të Zi për Ukrainën, por edhe qëndrimin e qeverisë ndaj ndarjeve të mbrojtjes.

Stoltenberg ftoi kryeministrin Spajiq të marrë pjesë në Samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili, siç tha ai, do të jetë një mundësi për diskutime të mëtejshme për çështje të rëndësishme që do të jenë në rend dite.

„Mezi pres bashkëpunimin e mëtejshëm me ju dhe qeverinë tuaj, si dhe takimin tonë të ardhshëm në korrik në Uashington,“ tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në një bisedë telefonike me kryeministrin Millojko Spajiq.

SHARE