SHQIPËRI, MBAHET SAMITI UKRAINË – EVROPA JUGLINDORE

Në Shqipëri është mbajtur Samiti Ukrainë – Evropa Juglindore, me pjesëmarrjen e liderëve nga vendet e Evropës Juglindore dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa në fund të punimeve të samitit është publikuar një deklaratë e përbashkët.

Në deklaratën e publikuar nga zyra e shtypit e Kryeministrisë së Shqipërisë thuhet se agresioni ushtarak i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare.

“Ky akt agresioni është i papranueshëm; është një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Kartën e OKB-së, dhe një krim kundër popullit ukrainas”, thuhet në deklaratë.

Sipas deklaratës, sot në Tiranë, “ne riafirmuam solidaritetin dhe mbështetjen tonë për Ukrainën dhe shprehëm angazhimin tonë për të marrë pjesë në rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Ukrainës pas luftës”.

“Ne përsëritëm mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1991 dhe mbetemi të përkushtuar për t’i ofruar Ukrainës mbështetjen e nevojshme për të mbizotëruar kundër agresionit rus për aq kohë sa duhet për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe e qëndrueshme në përputhje me Kartën e OKB-së dhe në bazë të Formulës së Paqes të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu theksohet se i bëhet thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtar që të rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj të vazhdueshme për liri, pavarësi dhe integritet territorial.

“Ne dënojmë me forcë synimet e Federatës Ruse për të mbajtur zgjedhje presidenciale në territoret e okupuara përkohësisht të Ukrainës, gjë që paraqet një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare. Theksojmë natyrën e paligjshme të zgjedhjeve të ardhshme në Republikën Autonome të Krimesë dhe qytetin e Sevastopolit dhe në territoret e pushtuara nga Rusia të rajoneve Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson të Ukrainës”, thekson deklarata.

Gjithashtu theksohet se në samit “shprehëm gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në zbatimin e Formulës së Paqes të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, e cila është në përputhje me Qëllimet dhe Parimet e Kartës së OKB-së dhe të marrë pjesë në Samitin inaugurues të Paqes, duke siguruar pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare në këtë proces”.

“Aleatët e NATO-s dhe vendet aspirante lavdërojnë hapat e ndërmarrë drejt anëtarësimit të saj të ardhshëm në NATO dhe mbështesin Ukrainën që të bëhet anëtare e Aleancës sapo ta lejojnë kushtet e sigurisë. Ne nënvizuam angazhimin tonë të vendosur dhe për të sjellë para drejtësisë ata individë përgjegjës për krimin e agresionit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e tjera mizore nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Gjithashtu thuhet se u riafirmua vendosmëria për të intensifikuar përpjekjet e përbashkëta për të siguruar përparim të mëtejshëm dhe mbështetje të ndërsjellë drejt anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Republikës së Moldavisë dhe Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian (BE).

“Ne nënvizojmë rëndësinë e çminimit në kontekstin më të gjerë të rimëkëmbjes së Ukrainës, si hapi fillestar i rëndësishëm drejt kthimit të sigurt të njerëzve dhe rifillimit të aktivitetit ekonomik dhe bujqësor. Ne, miqtë e Ukrainës, konfirmojmë besimin tonë të fortë se vetëm duke u bashkuar do të jemi në gjendje të rivendosim paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e drejtë në kontinentin evropian”, përfundon deklarata.

Sipas Kryeministrisë së Shqipërisë, deklarata e përbashkët e samitit është publikuar në emër të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, presidentes së Moldavisë, Maia Sandu, kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kryetares së Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Krishto, kryeministrit të Rumanisë, Ion-Marcel Ciolacu dhe kryeministrit të Bulgarisë, Nikolay Denkov.

SHARE