OSMANI: E BINDUR QË UKRAINA DO TË NJOHË NJË DITË SHTETËSINË E KOSOVËS

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është e bindur që Ukraina do ta njohë një ditë shtetësinë e Kosovës.

Ajo e ka bërë këto deklarata në nisje të samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore”. 

Osmani ka thënë se përgjatë samitit do të flasë për hapat konkretë që ka bërë Kosova për të dënuar pushtimin e nisur prej Moskës në Ukrainë më 2022 dhe për të mbështetur Kievin.

Në hyrje, presidentja është pyetur nëse do të kërkojë prej presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, njohjen e shtetësisë së Kosovës.

“Këto janë çështje bilaterale, ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në një gjendje të jashtëzakonshme, në gjendje lufte, duke luftuar për lirinë e saj dhe pavarësinë e saj”, ka thënë Osmani, duke shtuar se beson në fitoren e Kievit.

Samiti në Tiranë është organizuar prej kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

SHARE