KULEBA: SAMITI NË TIRANË DËRGON MESAZH SE MBETEMI TË BASHKUAR

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, e ka falënderuar të mërkurën Shqipërinë për organizimin e samitit për vendin e tij dhe ka përsëritur se është shumë e rëndësishme që Rusia të mbahet përgjegjëse për luftën e nisur në Ukrainë më 2022.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media me ministrin e Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Konferenca është mbajtur pak para nisjes së samitit të organizuar prej Shqipërisë, dhe në të pritet të diskutohet për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

“Ky samit tregon sesa vlerësim gëzon Shqipëria në rajon dhe dërgon një mesazh të qartë se mbetemi të bashkuar”, ka thënë Kuleba.

Ai e ka falënderuar Shqipërinë për nismat e saj humanitare pas nisjes së luftës, përfshirë rehabilitimin e fëmijëve, prindërit e të cilëve janë vrarë në luftë.

Kryediplomati ukrainas foli edhe për samitin e NATO-s, që do të mbahet në Uashington, dhe përsëriti synimin e shtetit të tij që të bëhet pjesë e aleancës ushtarake perëndimore.

“Pritjet tona janë që mes të tjerash një prej rezultateve të samitit të Uashingtonit do të jetë një hap më përpara drejt anëtarësimit të Ukrainës, që në fund të bëjë këtë pjesë të Evropës më të sigurt”, ka thënë ai.

Kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, ka bërë të ditur se autoritetet janë në fazën e përgatitjeve për hapjen e Ambasadës shqiptare në Kiev, dhe se shpreson që inaugurimi të ndodhë “në muajt e ardhshëm”.

“Shqipëria mbështet lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale të Ukrainës. Shqipëria dënon me forcë agresionin rus kundër Ukrainës”, ka thënë Hasani, duke shtuar se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë Kievin gjatë luftës, por edhe në fazën e pasluftës, në rindërtimin e shtetit.

Ai ka thënë se uron që samiti i përbashkët të jetë frytdhënës dhe të ofrojë perspektiva të reja për të ardhmen e Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë nënshkruar të mërkurën në Tiranë “Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit” mes dy vendeve.

Ata e kanë nënshkruar këtë traktat në kuadër në samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore” që po mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë.

Kryeministria e Shqipërisë ka thënë se “traktati i shërben konsolidimit të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë”.

Në nisje të ceremonisë, Zelensky i ka dorëzuar Ramës, Urdhrin e Princit Jarosllav i Urti, për, siç është thënë, kontributin e jashtëzakonshëm personal.

SHARE