DYERT E BASHKIMIT EVROPIAN JANË TË HAPURA PËR MALIN E ZI, NJË MUNDËSI QË NUK DUHET HUMBUR

Dyert e Bashkimit Evropian janë të hapura dhe Mali i Zi është i gatshëm të përfitojë nga kjo, është mesazhi i takimit të kryeministrit Millojko Spajiq me Komisionerin Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheli.

Siç njoftoi Qeveria e Malit të Zi, bashkëbiseduesit vlerësuan se tashmë pas katër muajsh nga mandati i Qeverisë së 44-të, dhe në bazë të rezultateve të arritura, po krijohen kushtet për mbylljen e standardeve të përkohshme, që është edhe synimi i Malit të Zi, por edhe i Bashkimit Evropian.

Sipas tyre, Varheli ka thënë se Mali i Zi është kandidati më i avancuar dhe se pritshmëria e të gjithëve në Bashkimin Evropian është të bëjë një hap përpara, për të cilin Komisioni Evropian është i përkushtuar fuqishëm.

„Mesazhi është shumë i qartë, dyert e Bashkimit Evropian janë të hapura. Mali i Zi është kandidati që ka bërë më shumë progres, pavarësisht se disa mundësi janë humbur në vitet e fundit. Tani është mundësia për ta kompensuar atë. Qëndrimi i Komisionit Evropian është i qartë, nëse jeni gati dhe nëse arrini rezultate, është koha për fazën tjetër të integrimit, duke mbyllur kapitullin për t’u bërë anëtare e BE-së”, theksoi Varheli dhe shtoi: „Sapo të kalojmë standardet e përkohshme, gjërat mund të shkojnë shumë më shpejt. Në këtë kontekst, Plani i ri i Rritjes u hartua si një mekanizëm i ri mbështetës në përgatitje për anëtarësim”, tha ai.

Qeveria thekson se Spajiq ka shprehur gatishmërinë e tij për të bërë hapa shtesë dhe vendimtarë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Konsensusi politik dhe gatishmëria për përparim në rrugën e integrimit garantojnë se, siç thotë ai, reformat e dëshiruara do të vazhdojnë.

Spajiq theksoi gjithashtu se mbështetja dhe inkurajimi i vendosur nga Brukseli është një nxitje për të lëvizur edhe më fuqishëm drejt BE-së. Ai tha se për momentin synohet përgatitja e zgjidhjeve ligjore, të cilat janë parakusht kyç për progres në kapitujt 23 dhe 24.

“Pres që gjatë muajit mars të kemi zhvillime të qarta sa i përket hartimit të ligjeve dhe strategjive kyçe në fushën e drejtësisë. Hartimi i Strategjisë Kombëtare për luftën kundër korrupsionit, rrumbullakimi i grupit të ligjeve për median, si dhe aktivitete të tjera të mbetura që çojnë në përmbushjen e standardeve të përkohshme. Mali i Zi është i inkurajuar nga momenti pozitiv, kjo është një mundësi që nuk duhet ta humbasim”, theksoi Spajiq.

Bashkëbiseduesit ranë dakord se Plani i Rritjes është një shans i madh për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian.

Mali i Zi, siç tha kryeministri, ka ambicie që sa më shpejt të anëtarësohet në Zonën e vetme të pagesave në euro, e cila, siç vlerësohet, do të sjellë përfitime të konsiderueshme për qytetarët dhe ekonominë.

Në takim morën pjesë ministrat Maida Gorçeviq, Angjella Jakshiq Stojanoviq, Fillip Radulloviq dhe Sasha Mujoviq.

SHARE