Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari ka bërë të ditur se sot është themeluar bashkëpunimi me Komunën e Ulqinit. “E filluam ditën e Komunës tonë me binjakëzim me Ulqinin e Malit të Zi,” shkruan Taravari. Sot ai priti në takim kryetarin e komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, të shoqëruar nga ambasadorja e Malit të Zi në Maqedoninë e Veriut, ekselenca e saj, Maria Petroviq. Në takim u nënshkrua Kartën për miqësi dhe bashkëpunim ndërmjet Gostivarit dhe Ulqinit, gjegjësisht binjakëzimin mes dy komunave tona. Qëllimi i Kartës është arritja e interesave të përbashkëta dhe promovimi i përbashkët në të gjitha fushat, si dhe zhvillimi dhe përmirësimi i marrëdhënieve miqësore. Karta përfshin bashkëpunim në fushën e sipërmarrësisë dhe zhvillimit të ekonomisë, përmirësim të turizmit nëpërmjet bashkëpunimit në fushën e kulturës, në arsim dhe në sport.