Deputetët në Kuvend kanë nisur sot debatin për ndryshimet në Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, i cili është dorëzuar nga shumica parlamentare. Në propozim është ndryshuar neni 2 i Ligjit lidhur me datën e regjistrimit, në mënyrë që sipas vendimit të mëhershëm të Qeverisë, regjistrimi të mbahet nga 30 nëntori deri më 15 dhjetor, por me mundësi të zgjatje prej 15 ditësh.
Thuhet se në rast se regjistrimi nuk mund të kryhet në periudhën e caktuar për shkak të motit të keq, numrit të pamjaftueshëm të regjistruesve apo rrethanave të tjera të justifikuara, “me propozim të drejtorit të Drejtorisë së Statistikave, Qeveria mund të bëjë një vendim për zgjatjen e regjistrimit deri në 15 ditë”.
Rendi i ditës u plotësua me propozimin për formimin e një komisioni të përkohshëm që do të monitorojë procesin e regjistrimit.
U refuzua propozimi i LQ URA për zgjerimin e rendit të ditës me ndryshimin e Ligjit për FOND PIO
Kuvendi në fillim të seancës hodhi poshtë propozimin e Lëvizjes Qytetare URA për zgjerimin e rendit të ditës me ndryshimin e Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor.
Ndryshimet e përmendura i referohen rivendosjes së kufirit të moshës si kusht për daljen në pension.
Nuk u pranua as propozimi i LQ URA për ndryshime në Ligjin për mbështetje të përkohshme të fëmijëve.