SHKENCËTARËT, THIRRJE OKB-së: KRIZA E KLIMËS TË SHPALLET EMERGJENCË SHËNDETËSORE

Studiues nga e gjithë bota i kanë kërkuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH që ta shpallë krizën e klimës si emergjencë shëndetësore globale.

Ndryshimi i klimës favorizon ndër të tjera edhe përhapjen e sëmundjeve dhe vështirëson sigurimin e ushqimit, theksojnë ata. Mbi 200 revista shkencore e publikuan njëkohësisht apelin e studiuesve që kjo gjendje emergjence të shpallet para pranverës 2024, kohë kur zhvillohet edhe Asambleja e Përgjithshme e OBSH.

Këtu bëjnë pjesë edhe revista të njohura si “The Lancet” apo” The British Medical Journal”. Hulumtuesit argumentojnë se është një gabim i rrezikshëm të shihen si të ndara kriza e klimës dhe ajo natyrore, e kjo për faktin e thjeshtë që shëndeti njerëzor dëmtohet direkt si nga kriza e klimës edhe nga humbja e llojeve në natyrë.

“Kjo krizë e pandashme planetare do të ketë efekte të mëdha në shëndet, sepse mund të shkatërrojë sistemet sociale dhe ekonomike”, shkruajnë autorët. Ndryshimi i klimës çon sipas logjikës së tyre në “zvogëlimin e  tokës, strehimit, ushqimit dhe ujit.” Kjo do të ketë efekte të mëdha në shëndetin njerëzor dhe do të ashpërsojë varfërinë, duke sjellë emigracion masiv dhe konflikte. Edhe rritja e temperaturave dhe ekstremet e motit çojnë në përhapjen e sëmundjeve ngjitëse.

Ndotja e mjedisit dëmton burimet ujore, për shkak të ndotjes së deteve do të ulet numri i peshqve si ushqim. Reduktimi i larmisë së llojeve do e bëjë të vështirë që njerëzimi të ushqehet në mënyrë të shëndetshme, theksojnë studiuesit. Shpallja e një gjendjeje emergjence shëndetësore është shkalla më lartë e alarmit që mund të japë OBSH-ja.

SHARE