Pas bisedimesh maratonë në Bruksel, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të bllokut europian, u pajtuan më në fund me një deklaratë përfundimtare në lidhje me luftën në Lindjen e Mesme ku kërkohet armëpushim dhe korridore të mbrojtura për furnizimin e sigurt me ndihma të Rripit të Gazës.
Në dokument theksohet se përkeqësimi i situatës humanitare në Gaza është shqetësues dhe se Bashkimi Europian do të punojë ngushtësisht me partnerët në rajon për të mbrojtur popullsinë civile, të ofrojë ndihma dhe qasje në ushqime, ujë, kujdesin mjekësor, karburantet dhe strehimin. Në dokument po ashtu thuhet se duhet siguruar që ndihmat të mos keqpërdoren nga “organizatat terroriste”. Hamasi vetë kategorizohet si oganizatë terroriste nga SHBA-ja, BE-ja, Gjermania dhe disa vende arabe. Sfida më e madhe me të cilën u përballen liderët e unionit ishte arritja e një ekuilibri mes dënimit të sulmeve të hamasit, mbështetjes së Izraelit për të mbrojtur veten dhe garantimit që të drejtat e civilëve nga të dy krahët të mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar.
“Është e qartë se përmes aktiviteteve të tij terroriste, Hamasi po dëmton edhe vetë popullin palestinez. Është Hamasi ai që nxiti krizën humanitare në Gaza”, u shpreh Ursula von der Leyen.
“Përkeqësimi i situatës humanitare në Gaza përbën shqetësim shumë të madh. Civilët duhet të mbrohen gjithmonë dhe kudo”, u shpreh Charles Michel.
Ministria e Jashtme e Izraelit nuk reagoi menjëherë pas ujdisë së vendeve anëtare të BE për armëpushim dhe krijimin e korridoreve të mbrojtura. Shteti hebre sakaq të premten ndërmori një operacion tokësor me objektiv të caktuar në qendrën e Rripit të Gazës, sipas AFP. Misioni u shoqërua nga avionë luftarakë dhe drone. Sipas të dhënave të agjencisë së njohur të lajmeve, janë sulmuar “objektiva terroriste” të Hamasit radikal islamik.