Përfaqësuesja e Këshillit Britanik, Vanja Mazhgal dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit, Sllavica Illinçiq, kanë dorëzuar pajisje të vlefshme programore për shkollat fillore të Komunës së Tuzit. Sipas Ministrisë së Arsimit, këto shkolla kanë përfunduar së fundmi trajnimin për mësimdhënien e të menduarit kritik, zgjidhjen e problemeve dhe kodimin me mikrobit në kuadër të projektit “Mësimdhënësi në shekullin 21”. “Ky projekt ka të bëjë me zhvillimin e të menduarit kritik dhe analitik, kreativitetin dhe inovacionin tek fëmijët e moshës 6-14 vjeç dhe prezanton hapat e parë të programimit duke përdorur teknologjinë mikrobit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit. Stafi i kompletuar mësimor në shkollat fillore “Mahmut Lekiq”, “29 nëntor”, “Gjergj Kastrioti Skendërbeu” dhe “Bashkim”, siç thanë ata, ka marrë pjesë në trajnimin trejavor të Këshillit Britanik. “Me ndihmën e pajisjeve mikrobit dhe aksesorëve të vlefshëm, janë krijuar kushtet për mësimdhënie krijuese moderne me fokus në analizën e problemeve dhe zgjidhjen e tyre. Duke aplikuar një mënyrë algoritmike të të menduarit, fëmijët programojnë pajisje që zgjidhin vërtet probleme specifike në komunitet,” thuhet në deklaratë. Një grup nxënësish të shkollës fillore “29 Nëntori” prezantuan projektin e tyre Inklobit, i cili është programuar si shkop inteligjent për personat me shikim të dëmtuar, e cila me sinjale zanore i tregon personit se ka një pengesë të caktuar në afërsi dhe në atë mënyrë parandalon lëndimet dhe lehtëson lëvizjen. Drejtorët e shkollave, koordinatorët për zhvillim profesional të mësimdhënësve dhe mentorët e studentëve diskutuan për zhvillimin e nxënësve përmes aplikimit të qasjeve aktive në mësimdhënie si puna projektuese dhe kërkimore dhe theksuan rëndësinë e projektit “Mësimdhënësi në shekullin 21” i cili zhvillon veçanërisht kreativitetin dhe të menduarit analitik te fëmijët. Gjatë muajit nëntor, Ministria dhe Këshilli do të vazhdojnë të vizitojnë shkollat dhe të bisedojnë me menaxhmentin e ri të shkollës për t’u njohur me programin dhe rëndësinë e integrimit të tij të plotë në mësimdhënie si pjesë e një procesi më të gjerë të transformimit dixhital të shoqërisë.