Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se sulmi i së dielës në Banjskë të Zveçanit, i ka ekspozuar vështirësitë dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufijve të Kosovës me Serbinë.
Sipas kryeministrit, më 24 shtator është rrezikuar siguria kombëtare e Kosovës dhe është shpërfaqur gatishmëria “e grupeve kriminale dhe terroriste, të cilat i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë”.
“Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak, dhe sasi të mjaftueshme, për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë”.
Kurti e ka nisur mbledhjen e Qeverisë me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë.
“Kufirin me Serbinë, më shumë sesa vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, sidomos në pjesën veriore, veçanërisht të rrezikshme dhe të vështirë e bëjnë sjellja dhe apetiti i Beogradit zyrtar”.
Ai ka thënë se nga provat për pjesëmarrjen e nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, në këtë sulm, që Kurti e ka quajtur terrorist, është vërtetuar “rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë”.
“Nuk ka demokraci e liri, pa pluralizëm. Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutela e Serbisë”.