MAROVIQ: ZHVILLIMI I INFRASTRUKTURËS ËSHTË I RËNDËSISHËM PËR PERSPEKTIVËN EVROPIANE TË BALLKANIT PERËNDIMOR

Qeveria e Malit të Zi është plotësisht e përkushtuar për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe promovimin e nismave të orientuara drejt projekteve që do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm social dhe ekonomik jo vetëm të Malit të Zi, por edhe të të gjithë rajonit, tha zëvendëskryeministrja në mandat teknik dhe ministre e Çështjeve Evropiane, Jovana Maroviq. Ajo theksoi se një nga synimet më të rëndësishme të Malit të Zi është prioritizimi strategjik i investimeve në drejtim të zgjidhjes së nevojave të mëdha infrastrukturore. Me ftesë të organizatorëve të Forumit Tirana Connectivity 2022, Maroviq mori pjesë në panelin “Planifikimi dhe financimi i infrastrukturës së qëndrueshme” që u mbajt në Durrës. Duke folur për rëndësinë e zhvillimit të infrastrukturës për Malin e Zi, Maroviq vuri në dukje rëndësinë e Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, si një nga instrumentet më të rëndësishme financiare të BE-së, përmes të cilit përcaktohen prioritetet dhe paketat e ndihmës për investime strategjike, veçanërisht në fushat e transportit dhe energjisë, e cila është veçanërisht e rëndësishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Siç tha ajo, në periudhën e ardhshme duhet fokusuar në shfrytëzimin e mundësive që ofron Plani Ekonomik dhe Investiv për Ballkanin Perëndimor, i cili do të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në tejkalimin e krizës ekonomike në rritje. “Në këtë kontekst, ajo theksoi nevojën për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të personelit, në mënyrë që të shfrytëzohen në mënyrë adekuate mundësitë e disponueshme përmes fondeve evropiane dhe të përshpejtohet procesi i anëtarësimit në BE”, njofton Qeveria. Ajo theksoi rëndësinë e shoqërisë civile si një aktor kyç në procesin e demokratizimit. “Ne jemi të vetëdijshëm se zhvillimi dhe roli i shoqërisë civile në një vend është i një rëndësie vendimtare për përparimin në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Prandaj, nuk duhet të injorojmë rëndësinë dhe kontributin e shoqërisë civile në procesin e përgjithshëm të propozimit dhe realizimit të projekteve infrastrukturore, si dhe mbështetjen e tyre në kuadër të ofrimit të ekspertizës adekuate për fushën e përmendur”, tha Maroviq.

SHARE