BE SHPREH KEQARDHJE QË SERBIA NUK I KA NDJEKUR ENDE PËRGJEGJËSIT E SULMIT NË BANJSKË

Bashkimi Evropian ka shpreh keqardhje që Serbia nuk i ka marrë ende hapat e nevojshëm për t’i përballur me drejtësinë përgjegjësit për sulmin në fshatin Banjskë të Kosovës në vitin 2023.

Një zëdhënës i BE-së i ka bërë këto deklarata, teksa e ka komentuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 24 prill i ka dënuar tre të akuzuarit për sulmin: Bllagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Tolliqin me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviqin me 30 vjet burgim.

Sulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, si pasojë e të cilit u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në këmbimin e sipër të të shtënave u vranë edhe tre sulmues serbë. Millan Radoiçiq, atëbotë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – mori përgjegjësinë për sulmin.

Tre të dënuarit kanë qenë pjesë e grupit prej 45 personash ndaj të cilëve kanë ngritur aktakuzë autoritetet e Kosovës, përfshirë Radoiçiqin.

Përveç tre të dënuarve, pjesa tjetër e të akuzuarve janë në arrati. Për autoritetet e Kosovës, Radoiçiq ka qenë “udhëheqësi i grupit terrorist” dhe sulmi është organizuar nga shteti i Serbisë.

Beogradi, në anën tjetër, i hedh poshtë këto akuza.

Autoritetet në Kosovë i kanë ndarë procedurat penale kundër Spasojeviqit, Tolliqit dhe Maksimoviqit, të cilët ndodheshin në paraburgim që nga shtatori 2023, ndërsa e kanë hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë Speciale për një gjykim në mungesë për 42 të pandehurit e tjerë.

Institucionet e Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje rregullisht autoriteteve të Beogradit që të përcaktojnë përgjegjësinë për sulmin dhe t’i nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë.

Megjithatë, pavarësisht thirrjeve nga blloku evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, autoritetet në Serbi nuk kanë ngritur asnjë aktakuzë, madje as ndaj Radoiçiqit i cili besohet se është në Beograd.

SHARE