Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, u bëri thirrje organeve kompetente shtetërore që të reagojnë urgjentisht ndaj raportimeve të fundit për vendosjen e mjeteve shpërthyese në institucionet arsimore dhe të tjera. “Siguria e fëmijëve, si kategoritë më vulnerabël të shoqërisë dhe të të gjithë qytetarëve, duhet të jetë prioritet absolut i shtetit dhe i çdo individi,” tha ai. “Nuk duhet të lejojmë që procesi më i rëndësishëm i një shoqërie siç është arsimi, por i përballur me probleme në funksionim edhe prej pandemisë, të vuajë për shkak të atyre që synojnë të provokojnë emergjenca dhe të destabilizojnë vendin përpara zgjedhjes së një qeverie të re dhe në prag tësezonit turistik”, tha Gjukanoviq.
Me rastin e raportimeve për bomba në shkolla, kopshte dhe ndërtesa komunale, mandatari për përbërjen e qeverisë së re, Dritan Abazoviq, tha se nuk ka arsye për panik dhe se është tentim për të krijuar tensione dhe për të sjellë trazira. “Qytetarët duhet të ndihen të sigurt, nuk ka arsye për panik. Policia vepron në përputhje me ligjin dhe po kontrollohen të gjitha objektet. Është një përpjekje për të krijuar tensione dhe për të sjellë trazira. Ka ndodhur për herë të parë, nuk ka rrënim në sektorin e sigurisë, asgjë nuk ka ndodhur për herë të fundit dhe shpresojmë që të jetë kështu edhe këtë herë”, tha Abazoviq.
Shoqata e prindërve u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse për sigurinë në vend që urgjentisht të gjejnë zgjidhje për kërcënimet për bombat e vendosura në institucionet arsimore dhe të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të zbuluar se kush qëndron pas raportimeve monstruoze të sotme dhe të mëparshme.