QEVERIA PLANIFIKON TË NDËRTOJË MË SHUMË SE 250 KILOMETRA AUTOSTRADA

Qeveria ka paraparë ndërtimin e rreth 260 kilometra autostrada dhe rreth 200 kilometra rrugë të shpejta, është bërë e ditur në seancën e Këshillit për Investime Publike, të udhëhequr nga kryeministri Millojko Spajiq.

Siç njofton Qeveria, për sa i përket aktiviteteve intensive të Monteput-it, është planifikuar zhvillimi i mëtutjeshëm i zgjidhjeve konceptuale për ndërtimin e autostradave dhe rrugëve të shpejta me fokus në autostradën Podgoricë – Tivar, si dhe krijimin e parakushteve të nevojshme për përfshirjen e infrastrukturës së mbetur të trafikut në Planin Hapësinor të Malit të Zi.

Ndër to është edhe pjesa Smokovc – pikë kufitare Bozhaj, me iniciativë të zëvendëskryeministrit për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj.

Nga seanca u bë e ditur se ftesat publike dhe procedurat e tenderit për përgatitjen e projekteve konceptuale dhe zgjidhjeve konceptuale për disa seksione tregojnë për përkushtimin e vazhdueshëm të Qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës.

Këshilli diskutoi gjithashtu kuadrin e ri rregullator për investimet strategjike me qëllim të krijimit të një qasjeje të re ndaj investitorëve dhe ideve të tyre në Mal të Zi.

“Me një qasje strategjike, ne duam të dërgojmë një mesazh për përpjekjet e qeverisë për ta bërë Malin e Zi një opsion interesant investimi për idetë e projekteve strategjike, të cilat në fund të fundit çojnë në zhvillimin e përshpejtuar të ekonomisë sonë dhe më e rëndësishmja për të përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve. Me theks të veçantë në investimet strategjike publike që kontribuojnë në zhvillimin më të fuqishëm të Malit të Zi”, thuhet në njoftim.

Qeveria thotë se Këshilli për Investime Publike është pjesë e kornizës së re institucionale për përmirësimin e investimeve publike, koordinim më efikas dhe realizim të aktiviteteve në Buxhetin Kapital të Malit të Zi dhe projekte të tjera zhvillimore të infrastrukturës.

„Theks i veçantë në periudhën e ardhshme do të jetë inicimi i projekteve të reja infrastrukturore në sektorin e transportit, energjetikës, arsimit dhe krijimi i parakushteve të reja për zhvillimin ekonomik të Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

SHARE