DUKAJ: DERI NË FUND TË DITËS PRESIM NJË PASQYRË TË QARTË TË SITUATËS NË SHAVNIK DHE ANDRIJEVICË

Qëllimi i Qeverisë dhe Ministrisë së Administratës Publike nuk është të ndërhyjnë në juridiksionin e komunave, por të respektojnë ligjet dhe Kushtetutën, tha ministri Marash Dukaj dhe shtoi se shpreson të ketë një pasqyrë të qartë të situatës në Shavnik dhe Andrijevicë deri në fund të ditës.

Dukaj tha para gazetarëve pas konferencës së Odës Ekonomike Amerikane se qëllimi i Qeverisë është të respektojë ligjet dhe vetëqeverisjet lokale t’i shërbejnë qytetarëve.

“Ju vetë e dini se në këto komuna (Shavnik dhe Andrijevicë) nuk ka qenë kështu në muajt e fundit”, tha Dukaj.

Ai përkujtoi se Ministria e Administratës Publike dhe Qeveria vazhdimisht kanë apeluar që të respektohet ligji dhe Kushtetuta, të cilat ato komuna nuk e kanë respektuar.

Ai tha se Ministria e Administratës Publike në bashkëpunim me ministritë tjera janë duke i shqyrtuar vendimet e marra në kuvendin e komunës së Shavnikut, ndërsa Andrijevica nuk ka vepruar sipas sugjerimeve dhe vendimeve.

“Shpresojmë që deri në fund të ditës të kemi një pasqyrë më të qartë dhe Qeveria të vendosë për atë çështje”, tha ministri Dukaj.

SHARE