Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, tha të hënën se trupat ushtarake po vazhdojnë të zmbrapsin sulmet e ashpra ruse në Bahmut, dhe se kontrollimi i këtij qyteti përbën “nevojë ushtarake”.
Ushtria ukrainase tha se koloneli Syrskyi i ka bërë këto deklarata gjatë një vizite në linjën e frontit në lindje ku tentoi “të zgjidhë çështje problematike që parandalojnë ekzekutimin efektiv të detyrave ushtarake” dhe të marrë “vendime operacionale që kanë për qëllim forcimin e kapaciteteve për të luftuar armikun”.
Në deklaratë nuk janë dhënë detaje për vendin e saktë të vizitës, por komentet e Syrskyit kanë dhënë shenja se Ukraina synon të luftojë për Bahmutin, pavarësisht numrit të madh të trupave atje.
“Faza më intensive e betejës për Bahmutin është duke vazhduar. Situata vazhdon të jetë e vështirë. Armiku është duke u përballur me humbje të mëdha të burimeve njerëzore, armëve dhe pajisjeve ushtarake, mirëpo vazhdon të kryejë sulme”, ka thënë ai.
Duke e vlerësuar qëndrueshmërinë e forcave ukrainase në kushte “jashtëzakonisht të vështira”, ai tha se “mbrojtja e Bahmutit është nevojë ushtarake”.
Ne jemi duke vlerësuar të gjithë skenarët e mundshëm dhe do të reagojmë në mënyrën e duhur për situatën aktuale”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e vizitoi Bahmutin javën e kaluar dhe u dha medalje trupave që po luftojnë atje.
Të shtunën, komandanti i përgjithshëm, Valery Zaluzhniy, tha se situata rreth Bahmutit është duke u “stabilizuar”.
Moska e konsideron zotërimin e këtij qyteti si pikë kyçe për kontrollim të rajonit lindor të Donbasit.