Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se është konstatuar një sulm kibernetik ndaj institucionit të Kuvendit, ndërkohë theksohet se nuk ka humbje të të dhënave nga sulmi kibernetik.
Në një njoftim të publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë thuhet se gjatë ditës së djeshme është konstatuar një sulm kibernetik ndaj institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë uebfaqja e Kuvendit është nxjerrë jashtë shërbimit.
Në njoftim theksohet se sipas ekspertëve, nga ky sulm është synuar ndërhyrje në infrastrukturë dhe tentativë për fshirje të të dhënave.
“Nuk janë prekur të dhënat në sistem dhe ekspertët janë angazhuar plotësisht, që prej momentit kur kanë detektuar këtë ndërhyrje nga jashtë institucionit. Ekspertët e IT-së po punojnë për të zbuluar se çfarë pasojash ka sjellë ky sulm në sistemin e Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu theksohet se vijon puna për të kthyer në normalitet faqen e Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërkohë, objektiv i një sulmi kibernetik në orët e fundit në Shqipëri ishte edhe një nga kompanitë e shërbimeve të telekomunikacionit.
Kujtojmë se në korrik dhe shtator të vitit 2022, autoritetet shqiptare konfirmuan se ndaj Shqipërisë është kryer një sulm masiv kibernetik. Sipas autoriteteve, “agresioni kibernetik ishte orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”.