DASH-i I KËRKON SERBISË BASHKËPUNIM ME OSBE-në PËR REZULTATIN E ZGJEDHJEVE

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) u bëri thirrje autoriteteve në Serbi që të bashkëpunojnë me misionin e OSBE-së në hetimin e pretendimeve për parregullsi zgjedhore, transmeton Zëri i Amerikës.

Siç theksoi Departamenti i Shtetit, dhuna ndaj gazetarëve, vëzhguesve dhe zyrtarëve zgjedhorë është “e papranueshme”, si dhe se legjitimiteti i proceseve demokratike varet nga transparenca dhe vullneti i të gjithë pjesëmarrësve për ta pranuar rezultatin e zgjedhjeve.

“Ne jemi të fokusuar, në bashkëpunimin me Serbinë, për forcimin e qeverisë demokratike dhe sundimin e ligjit, përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, vazhdimin e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e përparimit të Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. E ardhmja e Serbisë qëndron në Perëndim”, thuhet në përgjigjen e DASH-it ndaj pyetjeve të Zërit të Amerikës lidhur me protestat e reja në Beograd.

Në njoftim thuhet se konstatimet shqetësuese të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) se zgjedhjet u dëmtuan nga gabime të shumta procedurale, presion ndaj zyrtarëve publikë dhe abuzim me burimet publike, dhe se, këta faktorë, së bashku me avantazhet sistematike të partive në pushtet, krijuan kushte të padrejta.

“Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Serbisë që të punojë ngushtë me OSBE-në për t’i adresuar këto shqetësime”, shkruan ata, duke shtuar se pretendimet për parregullsi, të raportuara nga ODIHR-ja dhe ekipe të tjera vëzhguese të zgjedhjeve, duhet të hetohen.

SHARE