KRYEPARLAMENTARI BEÇIQ VIZITË ZYRTARE NË SHKUP

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka pritur në takim homologun nga Mali i Zi, Aleksa Beçiq, i cili qëndron për vizitë në Shkup për të marrë pjesë në konferencën rajonale “Përmirësimi i dialogut midis parlamenteve dhe gazetarëve në Ballkanin Perëndimor”. Kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut, Xhaferi në fillim të takimit iu falënderua Beçiqit për pranimin e ftesës në konferencë, “që është edhe një konfirmim për bashkëpunimin e shkëlqyer parlamentar ndërmjet dy dhomave ligjvënëse dhe provë për qasjen serioze ndaj rolit të parlamenteve në mbrojtjen e shprehjes së lirë dhe pavarësisë së mediumeve, prezenca e të cilëve është me rëndësi vitale për demokracinë funksionale dhe qeverisjen e mirë”. “Xhaferi theksoi se krahas marrëdhënieve të shkëlqyera politike në planin bilateral dhe multilateral, është e domosdoshme të bëhen më shumë përpjekje në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe përsëri e aktualizoi aktivizimin e linjës ajrore Shkup-Podgoricë-Sarajevë, si projekt i domosdoshëm për ndërlidhjen e vendeve”, thuhet në njoftim. Nga ana tjetër, Beçiq falënderoi për ftesën e Xhaferit për pjesëmarrje në konferencë dhe që në fillim shprehu ngushëllim për aksidentin tragjik të autobusit me targa të Maqedonisë së Veriut në Bullgari, duke shprehur keqardhje ndaj familjeve dhe duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve. “Shprehu mbështetje të procesit euro-integrues të vendit, duke informuar se Mali i zi ka ndërhyrë thellë në hapjen e kapitujve dhe se e ofrojnë gjithë ndihmën ndaj institucioneve tona në atë sferë. Politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) është interes strategjik edhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor, mirëpo edhe i vetë Unionit dhe është me domethënie thelbësore që ai proces të përshpejtohet”, thuhet më në njoftim. Në fund, të dy bashkëbiseduesit ndanë bindjen për një bashkëpunim të mëtejshëm konstruktiv dhe intensiv në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

SHARE