Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se në nëntor mund të zhvillohet një takim trepalësh mes Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, me synimin për të rifilluar bisedimet e paqes, të cilat kanë ngecur prej kohësh.
Zelensky theksoi se çështjet territoriale duhet të trajtohen nga udhëheqësit e vendeve, ndërsa temat e tjera mund të diskutohen nga grupet teknike.
Nga ana tjetër, Kremlini ka bërë të qartë se rifillimi i negociatave nuk do të ndikojë në operacionet ushtarake ruse në Ukrainë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Moska nuk ka ndërmend të ulë intensitetin e ofensivës, por është e gatshme të shqyrtojë armëpushime lokale për arsye humanitare.
Një prej tyre pritet të zbatohet në qytetin e Oleshky-t, në jug të Ukrainës, pas ndërmjetësimit të Melania Trump, në një përpjekje për të lehtësuar gjendjen e banorëve që përballen me mungesa të ushqimit, ujit dhe ilaçeve.
Ndërkohë, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase, duke rritur shqetësimet për pasojat e luftës gjatë dimrit.
Kievi akuzon Moskën se synon ta lërë vendin pa energji elektrike dhe ngrohje gjatë muajve të ftohtë.








