ABAZOVIQ: NE QËNDROJMË FORT NË RRUGËN E INTEGRIMIT EVROPIAN

Qeveria qëndron e vendosur në rrugën e integrimeve evropiane, e përkushtuar maksimalisht që kapitujt më të rëndësishëm të procesit të negociatave të mbyllen sa më shpejt dhe me efikasitet, në mënyrë që Mali i Zi të bëhet sa më shpejt anëtari i parë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian (BE), tha zv. Kryeministri Dritan Abazoviq në një takim me ambasadorët e BE-së. Siç është bërë e ditur nga Qeveria, Abazoviq sot në Delegacionin e BE-së në Mal të Zi ka takuar me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, me ç’rast është diskutuar për situatën aktuale politike. “Kemi pasur një bisedë të mirë sot me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Të gjithë aktorët në Mal të Zi duhet të arrijnë një konsensus dhe të punojnë së bashku në reformat kyçe evropiane, në mënyrë që të sigurohet përparimi i mëtejshëm i Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian”, shkroi pas takimit në Twitter, kryetarja e delegacionit të BE-së në Mal të Zi, Kristina Oana Popa. Siç është bërë e ditur nga Qeveria, në takim është diskutuar për situatën aktuale politike në Mal të Zi, raportin e progresit, por edhe për një sërë aktivitetesh konkrete që priten në periudhën e ardhshme.

SHARE