KFOR-i po përgatitet të shtojë praninë në kufirin Kosovë-Serbi, e pohuar kjo nga shefi i diplomacisë italiane Antonio Tajani, i cili sqaroi se një hap i tillë hidhet me qëllimin të parandalohen përleshjet e mëtejshme, mes shqetësimeve për ripërtëritjen e dhunës në rajon
Ministri i Jashtëm Italian shkroi në Twitter se ka biseduar me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, e të dyve u ka përcjellë të njëjtin mesazh.
“Italia, protagoniste e paqes në Ballkan. Bisedova me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti. I kërkova të dyve të favorizojnë dialogun mes palëve. Në marrëveshje me ministrin Italian të Mbrojtjes Guido Crosetto, po punojmë për të forcuar praninë e KFOR-it në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe parandalimin e përleshjeve të mëtejshme”, ka shkruar Tajan.