PREZANTOHET OFERTA TURISTIKE, KOSOVARËT FTOHEN QË EDHE KËTË VERË TË ZGJEDHIN ULQININ

Organizata Turistike e Ulqinit (OTU) ka prezantuar ofertën e këtij vendi bregdetar. Aty është bërë thirrje që edhe këtë vit, qytetarët nga Kosova të zgjedhin rivierën ulqinake.

Vetëm gjatë vitit të kaluar kanë qenë rreth 60 mijë pushues nga Kosova që kanë zgjedhur këtë ofertë, duke realizuar rreth 300 mijë fjetje.

Drejtori i OTU, Qazim Hoxhiq ka prezantuar ofertën e turizmit të Ulqinit, duke përmendur festivalet dhe mundësitë që kanë turistët.

“Turizmi është jetik për Ulqinin, është një industri që krijon vende të shumta të punës dhe të ardhura të qytetarëve dhe bizneseve të vendit tonë. E promovon bashkëpunimin kulturor, mbrojtjen e mjedisit dhe po ashtu shërben si urë lidhëse mes kulturave dhe popujve, duke qenë në funksion të miqësisë. Industria e turizmit është e rëndësishme sepse jep një kontribut të madh si Ulqinit, po ashtu edhe shtetit të Malit të Zi. Ulqinin e vizitojnë shumë turistë, por më të veçantë dhe më të afërmit për ulqinakët janë pushuesit nga Kosova, me të cilët e ndajmë gjuhën, kulturën dhe etninë”, ka thënë Hoxhiq.

Po ashtu, ai ka theksuar se ndjehen të obliguar që pushuesve nga Kosova tu ofrojnë një përvojë të paharruar, përmes traditës së tyre të mikpritjes.

Kryetari i Ulqinit, Omer Bajraktari ka folur për rëndësinë e lidhjes në mes të shqiptarëve nga të dy vendet.

“Ulqini pret një sezon rekorde dhe është më i përgatitur se kurrë në këtë sezon turistike. Ne përgatitjet për sezon turistike i kemi nisur qysh në shtator. Mbledhjen e parë e kemi pasur pas përfundimit të sezonit dhe aty kemi marrë mendimet e tyre se çka duhet të përmirësohet, çka janë prioritet. Vullneti është më i madh se kurrë që Ulqini të pres një sezon në një gjendje shumë më të mirë se vitet e kaluara. Ne kemi marrë masat në asfaltimin e rrugëve, në përgatitjen e shëtitoreve”, ka shtuar Bajraktari.

Sekretari i shtetit në Ministrinë për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm, Armend Milla u shpreh i bindur që turistët e Kosovës do të vazhdojnë të vizitojnë Ulqinin, përkundër liberalizimit të vizave.

“Shteti i Malit të Zi në rastet më të vështira për Kosovën ka qenë aty. Nuk ka çka e ndërron marrëdhënien e Malit të Zi me Kosovën. Kam një porosi edhe për bashkatdhetarët që vijnë e presin, mos të nervozohen, mos të humbin kurajë”, tha ai.

SHARE