Themelimi i Agjencisë për Siguri Kibernetike është një hap tjetër drejt përputhshmërisë së plotë me Direktivën e Bashkimit Evropian për sigurinë e rrjeteve dhe informacionit, tha ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.
Ai këtë e tha gjatë një vizite zyrtare në Republikën e Kroacisë, gjatë së cilës u takua me Bernard Grshiq, Sekretar Shtetëror i Zyrës Qendrore Shtetërore për Zhvillimin e Shoqërisë Digjitale.
Siç njofton Ministria e Administratës Publike, Dukaj e ka njoftuar bashkëbiseduesin për të arriturat e atij departamenti në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike.
“Qëllimi ynë është të digjitalizojmë sa më shumë shërbime, të cilat duhet të mundësojnë ofrim efikas, transparent dhe cilësor të shërbimeve për qytetarët. Sulmet kibernetike në infrastrukturën informative të Qeverisë, duke filluar nga gushti 2022, kanë treguar se një ekosistem i fortë i sigurisë kibernetike është baza e çdo reforme të administratës publike dhe transformimit digjital”, theksoi ministri Dukaj.
Sekretari shtetëror Grshiq përshëndeti punën e Ministrisë së Administratës Publike dhe prezantoi hapat e ndërmarra nga Kroacia në digjitalizimin e shoqërisë përmes vendosjes së sistemeve informative dhe shërbimeve elektronike, në përputhje me teknologjitë më të fundit dhe standardet ndërkombëtare.
Po ashtu, Sekretari i Shtetit shprehu hapjen dhe vullnetin e tij për të ndarë përvojat në lidhje me transformimin digjital.